PËRMIRËSOHEN SHËRBIMET SHËNDETËSORE PËR BANORËT E ANËS SË MALIT

Një hap i rëndësishëm është bërë në drejtim të përmirësimit dhe afrimit të shërbimeve shëndetësore për banorët e Anës së Malit.

Falë një bashkëpunimi të shkëlqyer ndërmjet Shtëpisë së Shëndetit Ulqin dhe diasporës sonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ambulanca në Katërkollë tashmë është pajisur me kabinet të ri të fizioterapisë dhe pajisje moderne diagnostikuese, duke përfshirë edhe EKG-në portative.

🩺 Fizioterapia më pranë qytetarëve

Funksionalizimi dhe zgjerimi i shërbimit të fizioterapisë në Anë të Malit krijon mundësi që banorët e kësaj zone të marrin një shërbim të rëndësishëm shëndetësor më pranë shtëpisë së tyre, pa pasur nevojë të udhëtojnë drejt Ulqinit për çdo nevojë.

Ky investim nuk përfaqëson vetëm përmirësimin e hapësirave dhe pajisjeve, por është mbi të gjitha një investim në shëndetin, mirëqenien dhe cilësinë e jetës së qytetarëve tanë.

Një kontribut i veçantë përmes donacionit të EKG-së portative

Një falënderim i veçantë i shkon z. Nail Osmani, për donacionin e EKG-së portative.

Falë këtij donacioni, dhe duke marrë parasysh moshën e shtyrë të një pjese të konsiderueshme të popullsisë së kësaj zone, mjeku i familjes tashmë ka mundësi që, kur është e nevojshme, të kryejë EKG-në edhe në shtëpinë e pacientit.

Kjo e lehtëson nevojën për paraqitjen e pacientit në qendrën shëndetësore dhe e sjell shërbimin mjekësor edhe më pranë qytetarëve, veçanërisht për personat që kanë vështirësi në lëvizje.

🤝 Mirënjohje diasporës

Në emër të Shtëpisë së Shëndetit Ulqin, shpreh mirënjohjen time të sinqertë për Shoqatën “Ana e Malit” në New York dhe Fondacionin “Hajdari”, për mbështetjen dhe kontributin e tyre në realizimin e këtij projekti.

Ky është një dëshmi e bukur se lidhja me vendlindjen nuk matet vetëm me fjalë, por me vepra konkrete.

Kur diaspora investon në shëndetësi, ajo investon drejtpërdrejt në të ardhmen dhe mirëqenien e komunitetit të saj.

Si Shtëpi e Shëndetit Ulqin, do të vazhdojmë të punojmë për përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve shëndetësore dhe për t’i sjellë ato sa më pranë çdo qytetari dhe çdo familjeje.

🙏 Faleminderit nga zemra
Shoqatës “Ana e Malit” – New York,
Fondacionit “Hajdari”,
z. Nail Osmani,
të gjithë donatorëve dhe bashkëpunëtorëve,
si dhe stafit të Shtëpisë së Shëndetit Ulqin për përkushtimin dhe punën e tyre.

Bashkë për një shëndetësi më të afërt, më cilësore dhe më të mirë për qytetarët tanë.
Me rrespekt,
Drejtori
Dr Kreshnik Mustafa